Afati kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt fundit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur ndonjë kompromis për këtë çështje.
Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe katër ditë kohë, askush prej subjekteve politike parlamentare nuk ka dhënë shenja se do të lëshoj pe për këtë çështje.
Ani pse krerët e partive politike janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja, ata nuk kanë bërë ndonjë lëvizje në drejtim të zgjedhjes së kësaj çështje.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, dje ka thënë se shumë shpejt do t`i nis komunikimet me partitë tjera për këtë temë.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka thënë Kurti.
Kurse, kryetar i PDK-së, Bedri Hamza, ka treguar kushtet e kësaj partie për çështjen e presidentit.
“Ligji është top prioritet për të gjitha. Ne kemi bisedu për Presidentin dhe kemi pa që nuk ka rrugë për marrëveshje dhe kemi treguar që vazhdojmë me opozitë”, ka deklaruar Hamza në T7.
Një ditë më parë, edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një kompromis për zgjidhjen e presidentit.
“U uroj të gjitha partive politike të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ta çuar vendin në zgjedhje. As për qytetarët e Republikës së Kosovës, as për vetë Republikën e Kosovës, por as në rrethanat në të cilat jemi, sidomos pas 16-17 shtatorit, nuk do të duhej as t’i shkonte në mendje dikujt që të bënin veprime të cilat çojnë drejt zgjedhjeve” u shpreh Haxhiu.
Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese ka vendosur vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.






