Zëvendëskapiteni i kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda ka folur pas barazimit të Kosovës me Austrinë.
“Dardanët” u ndalën me barazim, pasi ishin duke udhëhequr 1-0.
Fisnik Asllani shënoi në minutën e 70-të për 1-0, teksa 15 minuta më vonë, Christoph Lang barazoi në 1-1.
Vojvoda pas barazimit u shpreh i dëshpëruar me rezultatin.
“Jemi të dëshpëruar, por ishte një lojë e vështirë. Kishim rastin për 2:0, por nuk e deshi. Pranuam një gol dhe na mungoi fati. Miloti bëri aksion fantastik, por i mungoi fati. Po të shënonim për 2:0, loja do të përfundonte. Edhe ata reaguan mirë dhe u kthyen në lojë. Austria është Kombëtare e madhe dhe e dëshmoi këtë. Ky barazim na bënë më të fortë. Të marrësh pikë me kombëtare si kjo të jep vetëbesim, na bën të ndihemi më të fortë si ekip. Është pikë e mirë, ndonëse kemi mundur të fitojmë”, ka thënë Vojvoda.
Kosova e fitoi pikën e pestë në katër ndeshje të Ligës B të Ligës së Kombeve, duke zënë vendin e dytë në tabelë.
E para është Austria me tetë pikë.






