Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka ndarë një mesazh të veçantë urimi me rastin e dasmës së Luanit, djalit të Shkëlzenit dhe Syzanës, duke e cilësuar atë si “Luanin e Kosovës”.
“Me shumë dashuri mora pjesë në dasmën e Luanit, djalit të Shkëlzenit e Syzanës. Luanit që u rrit pa e njohur babanë dhe axhën, por që me krenari mban emrin e tij. Një emër që nuk është vetëm kujtim, por përgjegjësi, dinjitet dhe vazhdimësi”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka rikujtuar një moment të veçantë nga e kaluara, gjatë shënimit të Epopesë së Dukagjinit, kur Luani, ende fëmijë, kishte lënë përshtypje me pjekurinë dhe qëndrimin e tij.
“Nuk e harroj kurrë një moment shumë vite më parë. Ishte veç një fëmijë, por me një pjekuri që të linte pa fjalë – stoik, i qetë, me një qëndrim që i kishte hije burrave të rritur mes legjendash. Atë ditë i pata thënë: ende je i vogël, por kur të rritesh e ta gjesh dashurinë, mos harro me më thirrë në dasmë”, ka kujtuar ajo.
Çitaku ka theksuar se ndër vite e ka parë Luanin të rritet me krenari, deri në shërbimin e tij si oficer në Ushtrinë e Kosovës.
“Ndër vite, jam mbushur me krenari teksa e kam parë me uniformën e Ushtrisë së Kosovës – taman oficer ushtrie. Dhe ja, pas më shumë se një dekade, më erdhi ftesa. Nuk kishte harruar Luani”, ka shtuar ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Çitaku e përmbyll me urimin: “U trashëgofsh, Luani i Kosovës”.






