Bota e futbollit është tronditur nga lajmi për vdekjen e Jorge Messit, babait të legjendës së futbollit, Lionel Messi.
Jorge Messi ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare në një spital në Rosario të Argjentinës, pas një beteje të gjatë me probleme shëndetësore.
Pas lajmit, reagimi nuk ka munguar nga ish-klubi i Lionel Messit, Barcelona, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen Messi.
“Presidenti dhe Bordi i Drejtorëve të FC Barcelona shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për ndarjen nga jeta të Jorge Messit, babait të ish-lojtarit të Barcelonës dhe legjendës Lionel Messi. Në emër të të gjithë familjes Barça, i shprehim ngushëllimet tona familjes Messi”, thuhet në reagimin e klubit.
Barcelona ka kujtuar gjithashtu rolin që Jorge Messi pati në rrugëtimin e djalit të tij drejt majave të futbollit.
“FC Barcelona falënderon Jorge Messin për përkushtimin e tij ndaj klubit tonë, për besimin që na dha për fillimet dhe vitet më të lavdishme të karrierës futbollistike të djalit të tij, Leos. U prehtë në paqe”, thuhet në njoftim.
Marrëdhënia mes Jorge Messit dhe Barcelonës daton që nga vitet e para të karrierës së Lionel Messit. Klubi katalanas luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij si futbollist, ndërsa Jorge Messi ishte një prej figurave kryesore që e shoqëroi djalin e tij në hapat e parë drejt futbollit profesionist.
Barcelona kishte marrë përsipër edhe trajtimin e Lionel Messit për problemet hormonale të rritjes, në periudhën kur ai u transferua nga Argjentina drejt Spanjës.






