Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Konjufca në OKB: Presim që Apeli t’i korrigjojë gabimet

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konjufca ka thënë se aktgjykimi ka shkaktuar reagime të forta negative në Kosovë, duke theksuar se vendi ka bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare dhe vendore në ndjekjen dhe dënimin e krimeve të luftës, pa dallim të përkatësisë etnike.

“Aktgjykimi së voni i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara ka provokuar një reagim të fortë negative në Kosovë. Si popull viktimë, si shtet viktimë, Kosova ka bashkëpunuar me tribunalin e Hagës edhe gjykatat dhe organet e tjera të OKB-së, edhe me gjykatat e veta në ndjekjen dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Gjykatën e Specializuar”, tha ai.

Ai është shprehur se ka shqetësime serioze lidhur me dënimet e shqiptuara, duke vlerësuar se ato përmbajnë gabime në aspektin e përmbajtjes dhe të fakteve.

“Kemi shqetësime serioze sa i përket dënimeve të ashpra, ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojnë këto. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të perceptohet e të shihet si e paanshme”, ka përfunduar Konjufca.

Të ngjashme

Të fundit