Anëtari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka folur për profilin që, sipas tij, duhet ta ketë kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, në kohën kur po diskutohen emrat e mundshëm për ta pasuar Bedri Hamzën në këtë pozitë.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË1, Totaj tha se emrat që po përmenden mund të jenë kandidatë potencialë, por theksoi se më e rëndësishme është që partia të zgjedhë një person me vizion dhe energji për të ardhmen.
“Të gjithë emrat që po përmenden mund të jenë kandidatë potencialë, mirëpo unë më shumë e konsideroj me rëndësi se çfarë profili i duhet PDK-së. Mendoj se PDK-së i duhet një profil proaktiv, një person që është i dëshmuar në aspektin profesional, politik dhe njerëzor, që ka vizion të qartë, energji pozitive dhe nuk ka ndonjë prapavijë kontestuese. Një person që ka përkrahje të gjerë, jo vetëm brenda partisë, por edhe te elektorati”, deklaroi Totaj.
Ai shtoi se kryetari i ardhshëm duhet të ketë potencial për të ardhmen dhe të mos vlerësohet vetëm për meritat e së kaluarës.
“Unë mendoj se duhet të jetë një person që ka potencial për të ardhmen, e jo vetëm një person që ka merita për të kaluarën. Meritat e së kaluarës duhet t’i vlerësojmë, por duhet t’i japim rëndësi edhe vizionit dhe potencialit për të ardhmen”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka ambicie për të kandiduar për kryetar të PDK-së, Totaj e përjashtoi një mundësi të tillë. Ai tha se aktualisht është i përqendruar në udhëheqjen e Komunës së Prizrenit dhe se nuk e sheh veten në garën për drejtimin e partisë.
“Unë nuk kam ambicie për të kandiduar për kryetar të PDK-së. Sa kam njohuri, as kryetarët e tjerë të komunave nuk kanë ambicie të tilla, përfshirë edhe z. Aliu. Unë jam kryetar i Komunës së Prizrenit, jetoj atje dhe konsideroj se kam një fushëveprim të mjaftueshëm për të kontribuar për qytetin, por edhe për reputacionin e PDK-së”, tha Totaj.
Ai përmendi edhe pensionimin si një nga arsyet pse nuk e konsideron të përshtatshme kandidimin për këtë pozitë.
“E kam edhe një moshë më të shtyrë, tashmë kam dalë në pension. Përveç kësaj, edhe nga aspekti praktik, të jetosh në Prizren dhe ta udhëheqësh PDK-në në nivel qendror nuk është e lehtë”, përfundoi Totaj.





