Veliaj nga burgu propozon që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës

- Advertisement -

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo, Veliaj tha se vendimi i dhënë në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së e ka “tronditur thellë”.

Veliaj theksoi se procesi juridik duhet të vijojë sipas procedurave dhe standardeve të drejtësisë, ndërsa propozimin e tij e paraqiti si një shprehje mirënjohjeje për kontributin që, sipas tij, katër ish-krerët kanë dhënë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

“Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë”, deklaroi Veliaj.

Ai u bëri thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme.
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, tha Veliaj.
Në fund, ai tha se procesi juridik do të vazhdojë rrugën e tij, por sipas tij, edhe kujtesa historike do të vazhdojë të ruhet.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë,

të dashur qytetarë të Tiranës,

të dashur shqiptarë kudo që jeni,

Po bëj 19 muaj në izolim. Nëntëmbëdhjetë muaj pa mundësinë reale për të ushtruar mandatin kushtetues që më kanë besuar qytetarët e Tiranës me një rekord historik votash.

Vetëm pak ditë më parë u mor një tjetër vendim gjyqësor që ishte nje grusht institucional ndaj demokracise vendore. Natyrshëm, mund të prisnit që sot t’ju flisja për këtë.

Por ka momente në jetën e një njeriu kur drama e tij personale bëhet e vogël, përpara një çështjeje kombëtare.

Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar.

Për të kujtuar si liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence, pas familjesh të dëbuara nga shtëpitë e tyre, jetësh të humbura dhe sakrificash të jashtëzakonshme, pas vendimit të një populli për të mos pranuar më që fati i tij të përcaktohej nga të tjerët. Në atë histori, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vendin e saj të lavdishëm, sikurse ushtarët e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ata janë katër burra që historia i vendosi në një prej kapitujve më të vështirë dhe më vendimtarë të Kosovës. Kam jetuar dhe punuar në Kosovë, e njoh nga afër Hashimin …

Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.

Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.

E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht, të ruajë kujtesën e vet historike.

Prandaj sot, nga vendi ku ndodhem, dua t’u them Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën. Nuk do ta harrojmë Kosovën e represionit dhe të dëbimeve. Nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën. Nuk do t’i harrojmë familjet që sakrifikuan gjithçka dhe nuk do ta harrojmë kontributin e atyre që morën përgjegjësi në luftë dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon. Ndoshta prandaj sot e ndiej Kosovën edhe më afër. Sepse historia e saj na kujton se liria nuk bëhet e përjetshme vetëm sepse është fituar një herë. Ajo ruhet. Mbrohet. Kujtohet. Nderohet.

Për ata që nuk arritën ta shihnin ditën e saj. Për familjet që paguan çmimin e saj. Për të gjithë ata që luftuan dhe punuan për të. Për Kosovën. Për lirinë. Për kujtesën tonë kombëtare. Ata duhet dhe do jenë nderi i kryeqytetit tonë, Tiranës.

Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Të ngjashme

Të fundit