Kylian Mbappe e ka gjetur veten në qendër të një stuhie polemikash, teksa po afrohet shpallja e fituesit të Topit të Artë, pasi fituesi i vitit 1991, Jean-Pierre Papin, e ka kritikuar ashpër kapitenin e Francës për mënyrën se si e ka trajtuar në media garën për çmimin individual më prestigjioz në futboll.
Papin nuk e vë në dyshim talentin apo shifrat rekord të Mbappes.
Ajo që nuk mund ta durojë është përqendrimi i tepruar te vetja dhe këmbëngul se Topi i Artë nuk i jepet një lojtari bazuar në mendimin që ai ka për veten, por në një sërë kriteresh të përcaktuara nga votuesit.
Duke folur për uebfaqen franceze “Foot Mercato”, legjenda e futbollit francez tha: “Unë vërtet e admiroj Kylianin, ai mban rekorde, por në një moment gjithçka fillon të sillet rreth meje, meje, meje dhe vetëm meje. Fituesi i Topit të Artë vendoset nga të tjerët”.
Një koment i veçantë, sipas tij, e kaloi kufirin.
“Në një moment ai tha se askush tjetër përveç tij nuk e meritonte Topin e Artë. Kjo ishte e tepërt për mua, shumë e tepërt”, shtoi Papin.
Ish-ylli i Marseille e përfundoi deklaratën duke iu rikthyer kritereve, duke vlerësuar se Mbappe i plotëson shumë prej tyre.
Megjithatë, është imazhi që ai përcjell ai që e dëmton. Papin gjithashtu e bëri të qartë se kë dëshiron ta shohë fitues: Harry Kanen e Anglisë.






