Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj sulmeve, montazheve denigruese dhe kërcënimeve që, sipas tij, po përballet gazetari Lirim Mehmetaj.
Rama ka theksuar se trajtimi i gazetarëve si armiq dhe i kundërshtarëve politikë si shënjestra përbën rrezik për demokracinë dhe lirinë e shprehjes.
“Ka kohë që gazetari Lirim Mehmetaj përballet me sulme, montazhe denigruese dhe kërcënime të drejtpërdrejta. Në një shtet ku gazetari trajtohet si armik, kundërshtari politik si shënjestër, atëherë kufiri mes demokracisë dhe autokracisë shembet”, ka shkruar Rama.
Ai ka paralajmëruar se pasojat e cenimit të demokracisë nuk prekin vetëm personat që sulmohen drejtpërdrejt, por gjithë shoqërinë.
“Sot mund të jetë gazetari. Nesër kundërshtari politik. Pasnesër secili qytetar që guxon të mendojë ndryshe!”, ka theksuar Rama.
Në fund, ai ka vlerësuar se liria, e fituar me shumë mund, po minohet në dimensione të ndryshme, duke bërë thirrje për vëmendje ndaj rrezikut që paraqesin sulmet ndaj gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.
Postimi i plotë:
Ka kohë që gazetari Lirim Mehmetaj përballet me sulme, montazhe denigruese dhe kërcënime të drejtpërdrejta. Në një shtet ku gazetari trajtohet si armik, kundërshtari politik si shënjestër atëherë kufiri mes demokracisë dhe autokracisë shembet.
E të gjithë ata që sot, janë në delir nga pushteti, refuzojnë ta shohin se drejt çfarë sistemi po rrëshqet kjo shoqëri, duhet ta kuptojnë se çmimin e shkatërrimit të demokracisë nuk e paguajnë vetëm ata që sot sulmohen. Do ta paguajmë të gjithë!
Sot mund të jetë gazetari. Nesër kundërshtari politik. Pasnesër secili qytetar që guxon të mendojë ndryshe!
Liria që është fituar me aq shumë mund, sot po minohet në çdo dimension të saj!






