Unaza e Prishtinës, projektin që Rama e akuzoi Qeverinë se po ia bllokonte, Kurti e fut te investimet madhore kapitale të vitit 2027

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti ka treguar për projektet që parasheh Qeveria t’i bëjë me buxhetin e ri për vitin 2027.

Kurti tha në një mbledhje të Qeverisë se do të ndahen mbi 1 miliardë euro “vetëm në kategorinë e investimeve kapitale”. Këtu e përmendi Unazën e Prishtinës, një projekt për të cilin kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, e akuzon Qeverinë se e kishte bllokuar për vite me radhë.

“Ky buxhet do të jetë buxhet i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliardë euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autoudha e Dukagjinit, dhe shumë rrugë tjera rajonale e nacionale”, tha Kurti.

Unaza e Jashtme e kryeqytetit do ta zgjidhte problemin e trafikut të dendur në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, i cili thoshte se s’mundte ta realizonte atë vetëm për shkakun që qeveria e Albin Kurtit nuk po ia mundësonte marrjen e një kredie në BERZH.

Në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ky plan i kandidatit të LDK-së u konsiderua “domosdoshmëri” dhe prioriteti “numër një” i Hajrulla Çekut, kandidatit të atëhershëm të LVV-së për kryetar të Prishtinës.

Ky projekt ishte premtimi kryesor në fushatën e parë zgjedhore të Ramës, arkitektit që kishte ardhur nga Londra për t’i zgjidhur disa probleme në kryeqendrën e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit