Ujkani thotë se LVV ishte e gatshme të mbështesë Osmani, por s’u arrit marrëveshje

- Advertisement -

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka folur për situatën politike dhe bllokadën institucionale, duke theksuar se vendi po përballet me një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e gatshme të sigurojë nënshkrime për kandidaturën e Vjosa Osmanit dhe të mbështesë zgjedhjen e saj si presidente, por sipas saj mungesa e marrëveshjes politike ka penguar procesin.

“Ne si LVV kemi qenë të gatshëm që të sigurojmë nënshkrime vazhdimisht për opozitën, vetëm që ata ta sjellin një emër. Kur u kemi ofruar një gjë të tillë, ata janë tërhequr dhe kanë thënë se nuk kemi një emër që ta propozojmë. Ne kemi qenë të gatshëm të ofrojmë nënshkrime për PDK-në, për LDK-në, por në të njëjtën kohë kemi qenë të gatshëm të japim nënshkrime edhe për zonjën Vjosa Osmani”, tha Ujkani.

Ajo shtoi se LVV ka ofruar 33 nënshkrime, por sipas saj nuk është arritur garanci për sigurimin e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

“Ne kemi ofruar 33 nënshkrime dhe në momentin që kemi treguar sa vota kemi si mazhorancë, ajo nuk ka arritur të sigurojë një garanci që do t’i sigurojë 80 vota për të vazhduar mandatin e dytë si presidente”, u shpreh ajo.

Ujkani theksoi se LVV nuk ka qenë kundër Vjosa Osmanit, por mungesa e konsensusit politik ka pamundësuar propozimin e saj.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër Vjosa Osmanit. Pse nuk u propozua është sepse nuk kemi arritur marrëveshje për 80 vota. Ne i kemi vetëm 66 si koalicion i ngushtë dhe e dimë që duhen 80 vota për procesin”, tha ajo.

Ajo shtoi se LVV mbetet e hapur për bashkëpunim edhe me PDK-në, duke kritikuar qëndrimet e opozitës.

“Ne jemi të hapur për negociata. Nuk e di pse PDK po ndalet tek një shkresë. Është e pakuptimtë që për situatën ku opozita kërkon zgjedhje, të krijohen bllokada”, theksoi Ujkani.

Të ngjashme

Të fundit