Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu është përplasur në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim me kryetaren e këtij komisioni Fitore Pacolli e anëtarin Salih Zyba nga Vetëvendosje, për rrezikun, që sipas saj qytetarët e kanë nga uji me mangan.
Ajo i fajësoi institucionet për neglizhencë e mos sensibilizim të bollshëm për rrezikun që siç e quajti ajo “katastrofë” nga ky ujë.
Ajo ka kërkuar që Komisioni ku bënë pjesë t’i bëjë thirrje inspektoratit të dal në terren t’i inspektojë restaurantet e lokalet që shërbejnë ushqime e pije e që lidhjen e ujit e kanë nga liqeni i Badovcit.
Përveç njoftimit që e bëjnë në faqe zyrtare që mendoj se është shumë e paktë mendoj që sensibilizimi i opinionit duhet të jetë më i madh. Po e dërgojmë qytetarin drejt një katastrofe me neglizhencën që po ua bëjmë si institucione. E them këtë, sepse nuk mjafton një cisternë me orar për t’i dërguar ujë qytetarëve, por duhet institucionet e shtetit të jenë aktive, t’i inspektojnë restaurantet, kafiteritë që shërbejnë ushqime e pije nga uji i Badovcit”.
Por, kryetarja e komisionit Fitore Pacolli tha se nuk është në mandatin e tyre të japin vlerësime për cilësinë e ujit e as t’u tregojnë qytetarëve nëse i njëjti mund të pihet ose jo.
“Autoriteti kryesor që i informon qytetarët është Instituti i Shëndetësisë publike, ata i informojnë qytetarët. Ne nuk jemi autoritet kompetent t’u bëjmë thirrje që mos ta pinë ujin ne mund ta përcjellim mesazhin që jep IKSHPK”, tha ajo.
Por, Musliu insistoi se nëse uji me mangan përdoret, sjellë pasoja të rënda duke bërë thirrje edhe ndaj medieve që t’i informojnë qytetarët për këtë rrezik.
Këtu reagoi deputeti Zyba i cili i kërkoi Musliu të tërheqë thirrjen, çka edhe nxiti përplasje mes dyshes nga pozita e opozita.
“Kjo është e papranueshme. Kolege, nuk ke të drejtë të bësh thirrje, nuk je këtu në konferencë për media”, i tha Musliut ai.
“Le të jetë hera e fundit që ma ndërprenë fjalën, mbylle gojën, kaq” iu drejtua Musliu deputetit Zyba, derisa ky i fundit u largua nga mbledhja.
“Po i keq informon qytetarët”, i tha drejtuesja e komisionit Fitore Pacolli, Musliut. “Nuk mund të bësh thirrje në emrin tonë, sepse po keq informon”.
Mes përplasjesh i mbylli punimet kjo mbledhje e komisionit./rtk