Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka zhvilluar në New York një takim me kongresistin amerikan Joe Wilson, me të cilin ka diskutuar për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kamberi ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa nga çështjet që prekin komunitetin shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Diskutuam për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Biseduam për nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, pasivizimin e adresave, arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të Kosovës”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Sipas tij, gjatë takimit është theksuar nevoja që këto çështje të trajtohen në Komisionin e Helsinkit të SHBA-së, si dhe në komunikimet me Beogradin.
“Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e vëmendjes ndërkombëtare”, ka deklaruar Kamberi.






