Njësitë e Veçanta të Policisë së Kosovës, të cilat çdo ditë janë në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit dhe luftës kundër krimit në gjithë vendin, veçanërisht në veri, janë përballur dje me një zhgënjim të madh. Pavarësisht dhjetëra e qindra orëve shtesë të punuara, zyrtarët policorë nuk i kanë marrë pagesat për punën jashtë orarit në pagën e fundit, transmeton Periskopi.

Përveç Policisë së Kosovës, edhe një numër i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë përballur me situatën e njëjtë për mospagesën e shtesave në pagën e marrë dje.

Sipas rregullores në fuqi, këto pagesa janë obligative dhe duhet të ekzekutohen në mënyrë të rregullt.

Ky zhvillim ka shkaktuar pakënaqësi të thella në radhët e policëve të Kosovës dhe ushtarëve të FSK-së, të cilët shpesh angazhohen përtej orarit të zakonshëm në operacione të ndryshme për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Pas këtyre zhvillimeve, mbrëmë reagoi edhe Sindikata e Policisë, ku nga kjo Sindikatë thonë se, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kanë marrë asnjë komunikim zyrtar nga qeveria për këtë çështje.

“Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.

Sindikata e Policisë e Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojmë zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme për këtë çështje”, thuhet në reagim.

Çka tha ministria e Financave?

Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policët, duke mohuar përgjegjësinë rreth kësaj situate, e duke deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

Nga ministria është thënë se Thesari vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.

‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.

Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.

Postimi i plotë:

“Sqarim në lidhje me çështjen e ekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.

U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.

MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.

MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar”.