Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 14–18 shtator, moti në Kosovë do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Të martën priten riga shiu në disa pjesë të vendit, ndërsa nga e mërkura temperaturat do të shënojnë rritje graduale. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mund të arrijnë deri në 29 gradë Celsius.
Sipas IHMK-së, të hënën temperaturat maksimale do të jenë 18–24°C, të martën 19–24°C, të mërkurën 22–28°C, ndërsa të enjten 23–29°C. Të premten moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, me mundësi për ndonjë rigë shiu në zona të kufizuara, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 23 deri në 27°C. Erërat gjatë ditëve të javës do të fryjnë kryesisht nga veriu, verilindja, jugperëndimi dhe juglindja, me shpejtësi 1–7 m/s.
IHMK ka vlerësuar se kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme. Temperaturat më të ulëta në orët e mëngjesit do të sjellin freski, ndërsa gjatë ditës, sidomos nga e mërkura, priten kushte më të ngrohta dhe të përshtatshme për aktivitetet në ambient të hapur. Indeksi i rrezatimit ultraviolet do të jetë kryesisht në nivel të moderuar, me vlera më të larta rreth mesditës në ditët me më shumë diell. /Gazeta Express






