Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se vendi do të “blindohet” në prag të vendimit të Hagës më 16 shtator.
Përmes një njoftimi, Policia ka thënë se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste të zhvillimeve, aktiviteteve apo tubimeve me pjesëmarrje të madhe janë pjesë e procedurave të rregullta policore.
Sipas Policisë, këto masa kanë për qëllim menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Policia ka bërë të ditur se gjatë vlerësimeve merret parasysh edhe mundësia e provokimeve apo incidenteve nga individë ose elemente të caktuara, përfshirë nga jashtë vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për masa parandaluese dhe standarde. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare dhe të shmangin pretendimet e pakonfirmuara.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM PËR MEDIA
Prishtinë, 13 shtator 2026
Policia e Kosovës, në funksion të informimit të saktë dhe parandalimit të ndonjë keqinformimi të mundshëm të opinionit, përmes shkrimeve të cilat po qarkullojnë në disa portale të ndryshme ku shkruhet se kinse, Kosova “blindohet” në prag të vendimit të Hagës, mësohet plani i Policisë për 16 shtatorin, sqaron se;
Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe me gjërë, ju bëjmë me dije se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore.
Në raste të tilla, sikurse edhe në rastin e marshit solidarizues paqësor të datës 12 shtator 2026, dhe në tubime apo aktivitete të ndryshme, masat planifikohen në funksion të menaxhimit të sigurt të tubimeve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, qarkullimit të trafikut rrugor si dhe garantimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve.
Në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve policore merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.
Këto janë masa parandaluese dhe standarde, të cilat aplikohen varësisht nga numri i pritshëm i pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të situatës.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm në opinion.






