U lënduan nga zjarri në një hotel në Vlorë, përmirësohet gjendja e tri ferizajaseve

- Advertisement -

Gjendja shëndetësore e tri të lënduarave nga tragjedia e Vlorës, të cilat po trajtohen në spitalet e Tiranës, është duke u përmirësuar. Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Ferizajt, pas vizitës së nënkryetarit të kësaj komune, Lulzim Aliu, në institucionet shëndetësore ku po marrin trajtim të lënduarat.

Aliu, i shoqëruar nga drejtori i Administratës, Selim Marevci, ka vizituar Erëza Graincën, e cila po trajtohet në repartin e djegieve plastike në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ndërkohë, motrat Arlinda dhe Nderime Rexhepi, të shtruara në repartin intensiv të Spitalit Ushtarak të Traumës, nuk janë vizituar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe kufizimeve që zbatohen për vizitat në repartin intensiv.

Sipas Komunës së Ferizajt, motrat Rexhepi tashmë e kanë kaluar krizën e rëndë shëndetësore dhe gjendja e tyre është në përmirësim.

“Motrat Rexhepi kanë kaluar krizën e rëndë shëndetësore dhe tashmë gjendja e tyre është në përmirësim, falë trajtimit intensiv dhe kujdesit të stafit mjekësor”, thuhet në njoftimin e komunës.

Gjatë vizitës në Tiranë, në emër të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari Lulzim Aliu u ka përcjellë të lënduarave urimet për shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjeve të tyre.

Komuna e Ferizajt ka shprehur mirënjohje për mjekët dhe gjithë stafin shëndetësor që po kujdesen për të lënduarat, duke vlerësuar “përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre” në trajtimin e rasteve.

Të ngjashme

Të fundit