Shkruan: Ardian Bajraktari
Gjendja aktuale e moskonstituimit të Kuvendit është kundërkushtetuese dhe si e tillë, nuk mund të shndërrohet në precedent ku një e drejtë kushtetuese përdoret për ta bllokuar vetë funksionimin e institucioneve.
Në këtë situatë, në mungesë të marrëveshjeve, janë tri alternativa:
E para, të pajtohemi me këtë gjendje deri në mesin e shtatorit, kur eventualisht mund të bëhet propozimi i kandidatit/es për Kryetar/e të Kuvendit. Nga ai moment do të fillonin të rridhnin afatet kushtetuese prej 60 + 45 ditësh, çka do të mund t’i shtynte zgjedhjet deri në fund të dhjetorit, me shumë gjasë më 27 dhjetor.
E dyta, të procedohet kandidati i subjektit të dytë, ose i ndonjë subjekti tjetër, nëse arrin t’i sigurojë së paku 61 vota. Sepse e drejta për të propozuar nuk është e drejtë absolute. Kur ajo nuk ushtrohet brenda një kohe të arsyeshme dhe përdoret për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit, atëherë seriozisht shtrohet çështja e abuzimit me të drejtën e propozimit.
E treta, çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kjo për faktin se tashmë është konstatuar se konstituimi i Kuvendit është çështje kushtetuese. Gjykata ka përcaktuar afatin 30-ditor për konstituimin, por nuk ka përcaktuar shprehimisht sanksionin apo pasojën kushtetuese në rast të mosrespektimit të këtij afati.
Prandaj, Gjykatës duhet t’i kërkohet të qartësojë se çfarë ndodh kur një e drejtë kushtetuese shndërrohet në instrument të bllokimit të rendit kushtetues.
Tri alternativa janë para nesh. Një gjë duhet të jetë e qartë, asnjë e drejtë kushtetuese nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si e drejtë për ta mbajtur peng konstituimin e institucioneve të Republikës.






