“Trepça” suspendon një punonjës, dyshohet për ndërprerje të qëllimshme të ventilimit në minierë

- Advertisement -

Shoqëria Aksionare “Trepça” ka njoftuar se ka suspenduar përkohësisht një punonjës, i cili dyshohet se ka ndërprerë qëllimisht energjinë elektrike për ventilimin në minierë.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për punonjësin me inicialet M.Ll, i angazhuar në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

Nga kompania bëhet e ditur se vendimi për suspendim është marrë më 14 prill 2026 nga Kryeshefi Ekzekutiv, pas një denoncimi të bërë nga drejtori i prodhimit në njësinë përkatëse.

“Ky vendim është nxjerrë në bazë të denoncimit të paraqitur nga Drejtori i Prodhimit, sipas të cilit i njëjti dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Sipas “Trepçës”, punonjësi dyshohet se ka ndërprerë energjinë elektrike të ventilatorit, duke e bërë atë jofunksional në mënyrë të qëllimshme.

“Konkretisht, i njëjti dyshohet se ka ndërprerë energjinë elektrike të ventilatorit që shërben për ventilimin në minierë, duke e bërë atë jofunksional në mënyrë të qëllimshme”, thuhet më tej.

Kompania thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrave të punës, në përputhje me rregulloren për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve.

Të ngjashme

Të fundit