Topi i Artë Dembele shkëlqen në “Anfield”, e dërgon PSG-në në gjysmëfinale të Championsit

- Advertisement -

Paris Saint-Germaini ka marrë edhe një fitore të dytë ndaj Liverpoolit, dhe kështu është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique e ka mposhtur Liverpoolin edhe në Angli, pasi e mposhti javën e kaluar në Paris.

PSG-ja kështu e ka siguruar kualifikimin tutje, pasi sonte fitoi në “Anfield” 2-0, derisa një javë më herët fitoi po ashtu 2-0 në Paris.

Pas një dominimi në pjesën e parë, PSG-ja nuk arriti të gjejë golin e qetësisë, me disa raste të mira të humbura.

Pjesa e dytë më pas i takoi Liverpoolit, por që as vendasit nuk arritën të konkretizojnë rastet e tyre.

Kështu, në minutën e 73-të të ndeshjes, pas një kundërsulmi, PSG-ja shënoi përmes Topit të Artë, Ousmane Dembeles.

Francezi shënoi një gol të bukur me këmbën e tij të majtë, një gol që e dërgoi PSG-në në gjysmëfinale, kur kishte edhe 20 minuta për t’u luajtur.

Ousmane Dembele e fundosi më shumë Liverpoolin me golin e tij të dytë, të shënuar në minutën e 91-të.

PSG-ja e eliminon për sezonin e dytë me radhë Liverpoolin në Ligën e Kampionëve, pasi herën e kaluar e kishte mposhtur pas penalltive në “Anfield”, në raundin e 16-të më të mirave.

Parisi do të luajë në gjysmëfinale ndaj fituesit të ndeshjes Bayern Munich – Real Madridi, e cila kishte përfunduar 2-1 në të mirë të Bavarezëve në “Bernabeu”. Kjo ndeshje do të luhet nesër, në “Allianz Arena”, me fillim nga ora 21:00.

Të ngjashme

Të fundit