Krejtësisht e pasfiduar, në një monolog përmes një video-adresimi, Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, doli e tha se gjykatësit e Dhomave të Specializuara, “ushtrojnë detyrat në mënyrë të pavarur e të paanshme” e se “askush s’mund t’u tregojë atyre si ta interpretojnë Ligjin”. Në fakt, historiku i vetë Trendafilovës flet ndryshe.
Gjykatësja bullgare, e cila flet për mos-ndërhyrje, vit për vit, zhvillon dhjetra takime me diplomatë të BE-së, në mungesë të mbrojtjtes së të akuzuarve. Të njëjtit janë në vazhdimësi të përditësuar për atë që ndodh në Hagë, pavarësisht se institucioni që udhëheq Trendafilova thirret në drejtësi.
Një raport i vitit 2023 i lëshuar nga Dhomat e Specializuara, tregon se Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova dhe ish-zëvendëskryeprokurori, Alex Ëhiting, takoheshin, të dy, rregullisht me diplomatë evropianë e stafe politike.
“Më 30 janar 2023, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar mirëpritën në mjediset e DHSK-së Komitetin Politik dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), ku paraqitën një përmbledhje të veprimtarive gjyqësore të DHSK-së dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diskutuan arritjet e rëndësishme të deritanishme dhe prekën disa nga sfidat që i dalin gjykatë”,thuhet në raport.
“Më 21 shtator 2023, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësprokurorit të Specializuar mirëpritën në Gjykatë një delegacion nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së dhe Grupit Bazë për tribunalin e krimeve të agresionit kundër Ukrainës dhe paraqitën një përmbledhje të mandatit dhe punës së DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet tutje në raport.

Një episod i errët kishte ndodhur pikërisht në një takim të Trendafilovës me ambasadorë, ku kishte marrë pjesë edhe ish-Kryeprokurori famëkeq, Jack Smith.
Ndonëse takimi po mbahej vetëm një muaj pasi ishin arrestuar krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, Jack Smith, ishte lëshuar në konstatime të rënda e të pabesueshme, se të njëjtit “do të dënoheshin me burg të përjetshëm”.
“Ai tha se sipas aktakuzës së tij të dorëzuar kundër Thaçit, e cila mbështetet në çdo fjalë nga provat dhe dëshmitarët, Thaçi, Veseli dhe të tjerët do të marrin dënim me burgim të përjetshëm nga gjykata për krimet që ata kanë kryer”, thuhet në dokumentin që ka siguruar VOX Kosova, i cili flet për detajet e takimit dhe fjalët që ishin thënë aty.
DOKUMENT:

Smith nuk thoshte as “mendoj”, as “besoj” e as “kërkoj”. Thoshte, “do të dënohen”. Për më tepër, rrethanat rëndoheshin pasi që e pranishme aty ishte edhe Trendafilova, e cila, nuk e bënte asnjë reagim ndaj kësaj fjalie të pabesueshme të Smith, duke shkelur kështu rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë për të akuzuarit.
Mosreagimi i Trendafilovës nuk ishte skandalizimi i vetëm i saj në këtë takim. Aty, ajo fyente edhe simbolet shtetërore të Kosovës. Sipas dokumentit me detaje, ajo e konsideronte provokim pse avokati i Thaçit ka pyetur “pse s’ka simbole të Kosovës në Speciale”, duke kërcënuar se po të bëhej sërish një pyetje e tillë, “gjykata s’do të ishte kaq e sjellshme ndaj tij”.
“Ambasadori gjerman e pyeti atë pse flamuri dhe simbolet e Kosovës nuk shfaqen në Gjykatë, ashtu siç pyeti edhe avokati i Thaçit. Trendafilova tha se Dhomat e Specializuara janë një institucion kompleks që bashkon profesionistë nga shumë vende dhe financohet nga BE-ja dhe vendet e tjera donatore. Ajo tha se avokati i Thaçit e testoi dhe e provokoi gjyqtarin, duke synuar të krijojë një debat politik në Kosovë që do t’i delegjitimonte Dhomat e Specializuara, por gjyqtari i procedurës paraprake ishte i sjellshëm dhe respektues ndaj tij, gjë që nuk do të jetë rasti në raste të tjera nëse kjo ngrihet përsëri, sepse e gjithë pyetja ka një qëllim të pastër politik për t’i paraqitur Dhomat e Specializuara si diçka të huaj për popullin e Kosovës”, thuhet tutje në dokumentin që ka siguruar VOX Kosova me detajet e këtij takimi.
DOKUMENT:







