“TopSekreti” në telefonin e Shehollit: Me fondet e ambasadave islamike të ndërtohen xhami gjithandej Kosovës

- Advertisement -

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh.

Në aktakuzën e siguruar nga Klankosova.tv, Prokuroria thotë se ka shumë dëshmi që e inkriminojnë atë për veprën penale e cila i vihet në barrë, që është spiunazhi për BIA-n serbe.

Pjesë e aktakuzës është edhe një dokument të cilin Prokuroria e cilëson si provë relevante për vërtetimin e natyrës së kontakteve dhe veprimtarisë së tij në raport me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.

Sipas aktakuzës, kryerja e veprës penale nga i pandehuri Sheholli vërtetohet edhe nga Raporti Informues i Policisë së Kosovës i datës 31 mars 2026.

Nga analizimi telefonit celular “Apple iPhone” të sekuestruar nga Fatmir Sheholli, si dhe 20,914 fotografive dhe imazheve të ruajtura në folderin “Images”, është evidentuar fotografia me mbishkrimin “Top sekret 2” dhe tekst të shkruar në gjuhën serbe, duke paraqitur përmbajtje të karakterit konfidencial, e cila, sipas Prokurorisë, në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, konsiderohet relevante për të vërtetuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.

Në dokument, mes tjerash, thuhet:

“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativët tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”.

Në dokument përmendet gjithashtu zgjerimi i shkollave islame dhe përfshirja e personave nga Kosova dhe rajoni.

“Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet të shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Gjeneral Jankoviq, Kaçanik, Dragash dhe Prizren”.

Sipas dokumentit, “krahas operativëve shqiptarë kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku”, duke përfshirë edhe persona të tjerë “të cilët janë të gatshëm të punojnë për ne dhe të aktivizohen në Islam”.

Dokumenti pretendon po ashtu se udhëheqësit e bashkësive islame të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës janë “nën kontrollin tonë” dhe se po punohet për përfshirjen e personave me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.

“Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islamë, të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami”.

Në pjesën tjetër të dokumentit përmenden edhe persona të deleguar në vendet perëndimore nga bashkësitë islame të Kosovës dhe Sanxhakut, të cilët, sipas përmbajtjes së dokumentit, janë “nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë”.

Dokumenti pretendon se synimi ishte krijimi i një atmosfere në Kosovë ku njerëzit “të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj”, ndërsa një pjesë e rinisë të largohej nga Kosova dhe një pjesë tjetër të vendoste për fenë islame.

“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”.

Në dokument përmendet edhe një pretendim për përsëritjen e përndjekjes së shqiptarëve drejt Turqisë, por këtë herë, sipas përmbajtjes së tij, jo përmes forcës.

Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Fatmir Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin e lartcekur “Top Secret 2”, me markimin “CONFIDENTIAL” në prapavijë.

Prokuroria pretendon se në këtë dokument paraqitet një plan apo program politik dhe strategjik i fshehtë, i cili synon zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe përfshirjen e figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.

Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, sipas aktakuzës, rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Dokumenti, sipas Prokurorisë Speciale, parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj.

Në këtë kuadër, aktakuza thotë se dokumenti përshkruan si synim afatgjatë krijimin e një gjendjeje në të cilën Kosova do të perceptohej si një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, duke krijuar kështu kushte për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj statusit të saj dhe kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.

“Andaj, përmbajtja e këtij dokumenti, së bashku me faktin se i pandehuri Fatmir Sheholli e ka pranuar dhe shpërndarë atë, në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, tregon se veprimet e tij kanë qenë në funksion të përcjelljes dhe realizimit të synimeve të BIA-së serbe”, thuhet ndër të tjera në këtë pjesë të aktakuzës.

Të ngjashme

Të fundit