Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, përjetoi një tjetër derbi zhgënjyes. Në pak më shumë se 56 minuta, kontributi i tij në sulm u kufizua në një driblim të suksesshëm dhe dy goditje në kuadrat.
Jose Mourinho e zëvendësoi Viniciusin pas përjashtimit me karton të kuq të bashkëlojtarit Dean Huijsen, gjatë ndeshjes së zhvilluar dje, të dielën në mbrëmje, e cila përfundoi me fitoren 2-1 të Atletico Madridit në “Metropolitano”.
Gazeta “Mundo Deportivo” e cilësoi paraqitjen e tij modeste në “Metropolitano” thjesht si një tjetër episod në fillimin e këtij sezoni.
Në tetë ndeshje zyrtare, shtatë në La Liga dhe një në Ligën e Kampionëve, braziliani ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhënë tri asistime.
Ai gjithashtu është vërshëllyer në çdo ndeshje që ka luajtur në “Bernabeu”.
Pjesa më e keqe, sipas gazetës katalanase, është se forma e tij duket se po përkeqësohet në vend që të përmirësohet.
Mourinho ende e mbron atë dhe i jep besimin për të rikthyer nivelin e tij më të mirë, por në realitet ai tani është një prej zëvendësuesve të zakonshëm të trajnerit.
Mourinho i beson Viniciusit. Tifozët e Real Madridit jo, dhe ata po kërkojnë që ai të ulet menjëherë në stol.
Disa janë vërtet të shqetësuar, të paaftë për ta kuptuar se çfarë i ka ndodhur, pasi prisnin që ai të ishte lojtari vendimtar që ishte në sezonet e kaluara, pas rinovimit të kontratës. Deri tani, kjo nuk ka ndodhur.
Nga ana tjetër, ivoriani Yan Diomande po përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje dhe po shfrytëzon në maksimum minutat që Mourinho i jep.
Në derbi, ai tentoi gjashtë driblime, duke kompletuar katër prej tyre, dhe krijoi një rast shënimi në pothuajse 43 minuta lojë. Ai pati paraqitje më të mirë se Vinicius.
Tifozëve të Real Madridit nuk u shpëtoi kjo. Ata e duan Viniciusin në stol dhe Diomanden të vendoset si lojtari i ri në krahun e majtë të sulmit.






