Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar në emisionin “Ora Shtatë” vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Balla u ndal tek interpretimi i kryegjykatësit Charles Smith, i cili gjatë shpalljes së vendimit theksoi se aktakuza lidhet me përgjegjësinë e individëve dhe jo me UÇK-në si organizatë.
Sipas Ballës, gjatë leximit të vendimit pati një mospërputhje mes mënyrës se si u prezantua fillimisht çështja dhe përmbajtjes së mëtejshme të vendimit.
“Gjykatësi kishte një problem shumë të madh në atë që e lexoi, se në fillim e tha diçka tjetër, më pas lexoi komplet një tablo tjetër. Pra, ne të gjithë jemi krenarë për atë portret që njohim të UÇK-së, ndërkohë gjykatësi ndërtoi një portret tjetër të asaj që ne njohim”, deklaroi Balla.
Ai tha se që në momentin kur gjykatësi nisi të shprehej për përgjegjësinë e katër të akuzuarve, e kishte kuptuar se vendimi do të ishte dënues.
“Në momentin që gjykatësi e ka thënë këtë, e kam kuptuar që do të ishim para një turpi, para një vendimi për të dënuar katër udhëheqësit, sepse filloi me këtë dhe më pas e ndryshoi komplet”, u shpreh ai.
Balla ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi dallimin mes përgjegjësisë individuale të të pandehurve dhe përshkrimit të UÇK-së në kuadër të çështjes gjyqësore.
“Të thuash të katër personat ishin pjesë e ndërmarrjes kriminale, të thuash të UÇK-ja ishte ndërmarrje kriminale, atëherë pse thua që kjo gjë është individuale? Thuaje pastër që është vendim politik, edhe mbylle këtu”, tha Balla.
Në vijim, kreu i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se shqiptarët kanë pritur drejtësi nga procesi gjyqësor në Hagë, por sipas tij, vendimi i Gjykatës Speciale nuk përmbushi këtë pritshmëri.
“Shqiptarët kanë pritur drejtësi, megjithatë në Gjykatën Speciale nuk pati drejtësi”, tha Balla.






