Termi “Frizerka”, reagon Konjufca: Deklarata ime u deformua, nuk lidhet me Osmanin

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas raportimeve se gjatë një tubimi me qytetarë e kishte quajtur “frizerkë” ish-presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se deklarata e tij nuk kishte të bënte me Osmanin.

Sipas Konjufcës, diskutimi rreth termit “frizere” kishte vetëm një qëllim: të tërhiqte vërejtjen që ky profesion të mos përdorej në mënyrë përçmuese.

“Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent”, ka shkruar ai.

Konjufca tha se gjatë një tubimi në Ferizaj, një “pseudogazetar” përdori termin “frizere”, ndërsa ai reagoi duke theksuar se shumë gra dhe vajza në Kosovë e ushtrojnë me dinjitet këtë profesion dhe mbajnë familjet e tyre.

Ai shtoi se profesioni i frizeres është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria, duke potencuar se reagimi i tij kishte të bënte vetëm me mbrojtjen e dinjitetit të këtij profesioni.

“Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani”, ka deklaruar Konjufca, duke akuzuar mediat për shtrembërim të deklaratës së tij.

Tutje, ai tha se me Osmanin ka bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, ndërsa kërkoi ndjesë ndaj të gjithë atyre që mund të jenë ndjerë të lënduar nga interpretimet e krijuara rreth kësaj deklarate.

Të ngjashme

Të fundit