Nuk mund të kërkosh votat e grave dhe të përdorësh gjuhë që ulë gratë

- Advertisement -

Shkruan: Besa Ismaili

Për primitivizmin politik të z.Konjufca kam shkruar edhe më parë. Sot po shkruaj kundër përbuzjes klasore dhe seksizmit të këtij filozofi të provincës.

 

Çfarë ka të keqe të jesh frizerkë?

 

Ato/ata janë gra e burra që punojnë ndershëm, që mbajnë familje, që zgjohem herët dhe fitojnë bukën me djersë.

 

Në një shoqëri normale, puna respektohet. Vetëm mendësia feudale e sheh profesionin si mjet poshtërimi.

 

Kur një politikan përdor zanatin e dikujt si sharje, ai po tregon se për të dinjiteti i punëtorit nuk vlen asgjë.

 

Një ish-kryetar parlamenti që një ish-presidente të shtetit e quan “frizerkë” nuk po e fyen vetëm një individ. Ai po fyen një profesion të tërë dhe po e zhvesh veten nga çdo standard minimal etik e politik. Në atë fjalë ka përbuzje klasore, seksizëm dhe arrogancë primitive politike.

Por edhe më e rëndë është se kjo gjuhë përdoret për një ish-presidente të shtetit. Imagjinoni!

Mund të mos pajtohesh politikisht me të, mund ta kritikosh ashpër, por degradimi personal dhe përdorimi i stereotipeve gjinore nuk janë kritikë politike!

Ato janë mjerim kulturor.

 

Kur një grua në politikë sulmohet me etiketime të tilla, mesazhi është i qartë: për disa burra pushteti, gratë ende nuk shihen si lidere, por si objekte talljeje.

 

Nuk mund të kërkosh votat e grave dhe të flasësh me gjuhë që i ul gratë.

 

Ky nuk është lapsus.assesi.

 

Është pasqyrë e një kulture politike toksike të LVV-së.

 

Politika kosovare nuk ka nevojë për këso zhurme primitive; ka nevojë për standard, për argument dhe respekt njerëzor.

Të ngjashme

Të fundit