Të zhdukurit gjatë luftës, Grajqevci: Bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në komunën e Zubin Potokut. Arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimet e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Arrestimi i sotëm është i treti brenda kësaj jave, dhe lidhen me zbulimin e varrit masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore e që dyshohet se iu përkarin 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës, transmeton Klankosova.tv.

Në emisionin “Info Magazine”, kryetari i Këshillit të Familjarëve të të Zhdukurve, Ahmet Grajqevci, tha se pa analizat e ADN-së nuk mund të flitet me siguri se kush mund të jenë, por shtoi se ka shumë gjasa që mbetjet të iu përkasin intelektualëve të të zhdukurve.

“Presim analizat e ADN-së për të parë se kush do të dalë, dhe a do të gjenden të gjithë, sepse ata kanë pasur kohë të mjaftueshme të manipulojnë me trupat dhe me kufomat”, u shpreh ai në Klan Kosova.

Ai shtoi se nga viti 2000 ka pasur dyshime se në fshatin Kalludër ka varre masive.

“Me ekspertët që i kemi dhe me punën që po bëjnë, besoj që ka me kalu mirë ky proces, ka me qenë procesi shumë serioz. Por është e rëndë sepse për 27 vjet është ditur që aty te Kalludra, rreth Kalludre, diku ekziston varri masiv, por nuk kemi pasur mundësinë ta hulumtojmë, pasi shumë herë kemi pasur ndalesa nga Eulex-i dhe Unmik-u”, u shpreh aktivisti në Klan Kosova.

Sa i përket personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai tha se vendi nuk ka mundësi të mëdha t’i bëjë presion Serbisë që të zbulohet fati i të njëjtëve.

“Nuk është Kosova që mundet të bëjë ndonjë trysni të madhe ndaj Serbisë, sepse nuk e kemi mundësinë as politike as fizike, por këtu pres dhe apeloj që bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian të bëjnë presion mbi Serbinë, që të mbyll një herë e përgjithmonë këtë problem të personave të zhdukur, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë ku ajo ka bërë krim”, tha ai në “Info Magazine”.

Të ngjashme

Të fundit