“Të reagojmë fuqishëm”, çfarë po paralajmëron Demaku i PDK-së ndaj VV-së?

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për situatën politike dhe institucionale në vend.

Në “Edicioni Special” në Klan Kosova, Demaku tha se ajo që po ndodh aktualisht nuk është e re, duke e cilësuar si pjesë të një strategjie të Kurtit.

“Nuk e di a po shkon vendi në zgjedhje të reja, por ajo që kemi parë gjatë këtyre ditëve, që ka rezultuar me ditët e sotme, për mua personalisht nuk ka qenë diçka e re. Unë mendoj që në vazhdimësi kjo ka qenë një lloj loje, një lloj strategjie të cilën Albin Kurti e ka përdorur për të ecur kështu, në këtë mënyrë, në këtë kaos, pa institucione, por duke i bërë vetëm disa lëvizje akrobatike, t’i quaj kështu, dhe duke i përdorur subjektet e tjera për qëllimin e tij, për të vazhduar këtë sagën e tij, që tanimë është bërë e njohur për dy vite e më shumë”, tha Demaku.

Demaku tha se Kosova është futur në “njëfarë anarkie totale”, duke kritikuar Kurtin për mungesë bashkëpunimi me subjektet e tjera politike.

“Unë mendoj që të gjithë njerëzit që kanë përgjegjësi në këtë vend, por edhe gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, të kenë një reagim më të fuqishëm në raport me këtë mënyrë, sepse ne kështu po japim një sinjal të qartë që ne nuk kemi mundësi për të bërë shtet, e as për të mbajtur shtet, as për të zhvilluar shtet, e as për të ecur përpara. Ne jemi futur në njëfarë anarkie totale nga logjika sesi po mendon ai (Albin Kurti). Nuk mund t’ua imponosh dëshirat njerëzve të tjerë, duhet ta gjesh bashkëpunimin duke e respektuar tjetrin, duke gjetur gjuhën e komunikimit, e jo “ejani të gjithë, bëmani argatin mua”, deklaroi Demaku.

Të ngjashme

Të fundit