Tahiri: Ligji për Gjykatën Speciale duhet të zbatohet plotësisht, pa përjashtime

- Advertisement -

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Arian Tahiri ka vlerësuar si arritje të madhe miratimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kërkuar zbatimin e plotë të tij dhe respektimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka theksuar se ky vendim është i rëndësishëm për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garantimin e drejtësisë.

Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe qytetarët t’i qëndrojnë prapa çdo neni të ligjit dhe të kërkojnë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.

Sipas Tahirit, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ.

Postimi i plotë i Tahirit:

Miratimi i Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është një arritje e madhe për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për garantimin e drejtësisë. Ky është një vendim i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë duhet të respektohet.

Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.

Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen.

Prandaj, nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë.

Të ngjashme

Të fundit