Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot është takuar me homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Panche Toshkovski, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
“Me kënaqësi kam pranuar ftesën nga homologu im Panche Toshkovski dhe sot realizova vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup, të shoqëruar nga Drejtorët e policive të dy shteteve tona dhe Zëvëndësministri Astrit Iseni, biseduam për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.”
Sveçla ka thënë se “fenomenet negative që kanë karakterizuar brezin kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në trend të rënies falë bashkëpunimit të ngushtë policor teksa janë shënuar rezultate të dukshme edhe në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar”.
“Biseduam edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në kuadër të Ministrive tona dhe për këtë kishim pajtueshmëri të plotë të dyja palët. Bashkëpunimi rajonal mbetet krucial si garancë e luftimit të suksesshëm të çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendeve tona dhe rajonit tonë.”