Koci: Pas deklaratës së Von der Leyen jam optimist se nisma e PDK-së mund të kalojë

- Advertisement -

Analisti politik, Melazim Koci, është shprehur pro projektligjit të propozuar nga Partia Demokratike për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Ai tha se ndryshimet e propozuara nga kjo parti, nuk e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

“Projekt-rezoluta e Partisë Demokratike nuk e prek pavarësinë e gjyqësorit. Absolutisht nuk e prek”, deklaroi Koci.

Ai përmendi Nenin 162 të Kushtetutës me të cilin është themeluar Gjykata Speciale, pastaj këmbimin e letrave në vitin 2014 ndërmjet baroneshës Catherine Ashton dhe zonjës Atifete Jahjaga.

Neni 162 i Kushtetutës, sipas Kocit, e ka një dispozitë, e cila thotë: “Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohen me këtë nen, pra me nenin 162 dhe me ligj të veçantë. Ligji është 05L053”.

“Pra, Kosova nuk është duke kërkuar ta ndërrojë Kushtetutën, nenin 162, nuk e prek. E prek ligjin e veçantë të cilin e parasheh vetë… pra të gjitha ato kompetenca që janë bartë nga neni 162 në ligj të veçantë, Kosova ka të drejtë t’i ndryshojë. Madje ka të drejtë t’i ndryshojë me shumicë të thjeshtë; duhet kuorumi prej 61 deputetëve dhe 31 vota nëse janë vetëm 61, ose nëse janë 80 të pranishëm duhen 41 vota”.

“Me këtë veprim Kosova nuk prek asnjë aspekt, as s’prek pavarësinë e gjyqësorit, madje mendoj që është obligim dhe detyrim i Kosovës ta bëjë këtë gjë. Rruga që e ka zgjedhur PDK-ja unë mendoj që është e drejtë, ka qenë e vetmja mundësi të bëhet diçka”, deklaroi Koci.

Ai theksoi se PDK-ja është shprehur e gatshme që t’i vë në dispozicion 22 mandatet e veta për zgjedhjen e presidentit nëse kalohet projektligji i propozuar nga ta për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Koci tha se deklarimi i shefes së KE-së, Ursula von der Leyen, e bën të jetë optimist se do të ketë zgjidhje.

“Unë mendoj që zgjedhjet mund të shmangen vetëm nëse do të ketë bashkëpunim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Pra, miratim të ligjit nga këto dy parti. Jam optimist pas deklarimit të zonjës Von der Leyen. Jam optimist që do të gjendet zgjidhje, do të miratohet ligji dhe do të zgjidhet presidenti”, theksoi analisti politik, Melazim Koci.

Të ngjashme

Të fundit