“Suxhuk, pula të gjalla e arka me birra”, sekuestrohen mallra mbi 10 mijë euro në Ranillug

- Advertisement -

Dogana dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave në fshatin Korminjan të komunës së Ranillugut, ku janë sekuestruar mallra me vlerë mbi 10 mijë euro.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, nga Njësiti i Task Forcës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit – Jugu, bazuar në informacione operative.

Gjatë operacionit, pas vëzhgimit dhe vendosjes së dy pritave policore, janë ndaluar tre traktorë të tipit “Rakovica”, me rimorkio të improvizuara dhe pa targa regjistrimi, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht nga Serbia, përmes rrugëve malore dhe alternative.

Me këtë rast janë ndaluar edhe tre persona të dyshuar, të nacionalitetit serb dhe shtetas të Kosovës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e mallrave.

Gjatë kontrollit të mjeteve janë gjetur dhe sekuestruar 144 arka me birra të markave Heineken, Tuborg dhe Zaječarsko, 250 kilogramë mish i bluar, dy thasë me suxhuk, 324 pula të gjalla, dy printerë profesionalë, shtatë pajisje të rrjetit MikroTik dhe gjashtë monitorë kompjuteri 24 inç.

“Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet paraprakisht të jetë mbi 10 mijë euro, ndërsa vlerësimi përfundimtar do të bëhet nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të operacionit janë ndaluar edhe tre traktorët dhe rimorkiot e përdorura për transportimin e mallrave.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Jugu.

“Dogana dhe Policia e Kosovës mbeten të vendosura dhe të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti tjetër të kundërligjshëm që cenon sigurinë, rendin juridik dhe interesat ekonomike të Republikës së Kosovës. Operacionet e tilla dëshmojnë përkushtimin dhe gatishmërinë e vazhdueshme të institucioneve për mbikëqyrjen dhe kontrollin efektiv të kufirit shtetëror, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e krimit ndërkufitar”, thuhet në fund të njoftimit.

Të ngjashme

Të fundit