Sot (e mërkurë) në orën 10:00, në Hagë pritet të shpallet vendimi në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi do të transmetohet në sheshet e komunave të Kosovës përmes projektorëve, duke u mundësuar qytetarëve ta ndjekin së bashku një prej momenteve më të rëndësishme të këtij procesi.
Prej vitesh, kjo çështje ka mbajtur në ankth familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe mijëra qytetarë të Kosovës. Sot, vëmendja e një populli të tërë është përqendruar te Haga.
Në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve anembanë botës, ky moment pritet me emocione të forta dhe me shpresën e shprehur nga mbështetësit e tyre për lirimin dhe kthimin e tyre në Kosovë.
Për shumë qytetarë, emrat e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhen ngushtë me një prej periudhave më vendimtare të historisë së Kosovës. Për këtë arsye, vendimi i sotëm shihet si një moment me peshë të veçantë historike dhe emocionale.
Sot nuk është një ditë e zakonshme.
Është dita kur, pas një procesi të gjatë gjyqësor, pritet të dëgjohet vendimi që do të shkruajë një faqe të re në historinë e Kosovës. /GazetaScanner/






