Sindikata botërore e futbollistëve e kritikon Bayernin, për deklaratat shokuese rreth Jamal Musialas

- Advertisement -

Sindikata botërore e futbollistëve, FIFPRO, ka shprehur shqetësimin për komentet e drejtuesve të Bayern Munichut rreth kontratës së Jamal Musialas, duke shtuar se klubi gjerman “duhet të dijë më mirë”.

Musiala ishte rrëzuar dy herë brenda katër ditësh gjatë fazës përgatitore parasezonale, ndërsa reprezentuesi 23-vjeçar i Gjermanisë kishte bërë të ditur se ishte diagnostikuar me “kriza të mungesës së vetëdijes, lehtësisht të trajtueshme, të cilat shkaktohen nga një mosfunksionim neurologjik”.

Presidenti i nderit i Bayern Munichut, Uli Hoeness, deklaroi në fillim të këtij muaji se Musiala mund të mos e “rikthejë kurrë nivelin e paraqitjeve që kishte dikur”.

Drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, gjithashtu ka vënë në pikëpyetje kontratën e majme që sulmuesi nënshkroi në vitin 2025, e cila është e vlefshme deri në vitin 2030, në rast se Musiala nuk arrin të rikthehet në formën e tij më të mirë.

Ndërkohë, paraardhësi i tij në këtë pozitë, Karl-Heinz Rummenigge, ka sugjeruar se marrëveshja mund të ketë nevojë të rinegociohet.

“Presidenti i nderit, drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut kanë vënë publikisht në pikëpyetje kontratën e Musialas, njëri pas tjetrit dhe brenda një periudhe të shkurtër”, thuhet në deklaratën e FIFPRO-s.

“Në vlerësimin e FIFPRO-s, kjo është një strategji e koordinuar për të ushtruar presion ndaj Musialas dhe përfaqësuesve të tij përpara çfarëdo negociatash. Një klub me reputacionin e Bayern Munichut duhet të dijë më mirë”.

Musiala, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2019 pasi ishte zhvilluar në akademinë e Chelseat, u aktivizua pas 70 minutash në barazimin 1-1 ndaj Kolnit të premten, duke bërë paraqitjen e tij të parë që nga shënimi i golit në fitoren 7-0 kundër Union Berlinit më 18 shtator.

Ai ka regjistruar pesë paraqitje për klubin këtë sezon, duke shënuar dy gola dhe dhuruar një asistim.

“Bayern ka detyrimin të kujdeset për Musialan”, shtoi FIFPRO.

“Në të gjithë futbollin profesionist, pasiguria rreth të ardhmes së një lojtari mund të ndikojë në shëndetin e tij mendor, veçanërisht kur ai është duke u rikuperuar nga një lëndim. Bërja e shëndetit dhe së ardhmes së Musialas çështje të debatit publik vetëm sa e shton këtë presion. Çdo shqetësim rreth kontratës së tij duhet të diskutohet privatisht me të dhe përfaqësuesit e tij. Kontratat duhet të respektohen. Një lëndim apo rënie e formës nuk i jep klubit asnjë arsye për të rihapur kushtet për të cilat ka rënë dakord, ashtu siç një seri paraqitjesh të jashtëzakonshme nuk i jep automatikisht një lojtari të drejtën për rritje page”, thuhet tutje.

Rikthimi i Musialas në skuadrën e Bayern Munichut ndodhi në të njëjtën ndeshje në të cilën sulmuesi i Anglisë, Harry Kane, pësoi një lëndim në kyçin e këmbës dhe më pas u konfirmua se do të mungojë “për muajt e ardhshëm”.

Të ngjashme

Të fundit