0.2 C
New York
Friday, December 27, 2024

Buy now

Shumë pikëpyetje për tunelin e zbuluar nën gjykatën malazeze

- Advertisement -
Policia malazeze është duke e ruajtur një banesë, nga bodrumi i së cilës është hapur një tunel nëntokësor i gjatë tridhjetë metra deri në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Ekspertët e mjekësisë ligjore po përpiqen të zbulojnë se kush ka qëndruar në banesë gjatë muajit gusht.

Policia nuk ka gjetur askënd në banesën që ndodhet në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës dhe siç është konstatuar, banesa u është dhënë me qira personave që kanë përdorur dokumente të falsifikuara.

Ndërtesat më të rëndësishme të mbrojtura ndodhen në afërsi të banesës dhe godinës së Gjykatës së Lartë: Parlamenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese, Banka Qendrore.

Aktualisht, hetuesit nuk e dinë motivin dhe qëllimin e personave të panjohur që e kanë hapur tunelin për të paktën një muaj.

Sipas fotove të tunelit të publikuara nga Qeveria e Malit të Zi, kalimet janë të gjera dhe rreth një metër të larta, muret janë të veshura me dërrasa që duhej të parandalonin shembjen e dheut dhe gurit. Fundi i tunelit çonte në depon e bodrumit të Gjykatës së Lartë, muri i së cilës u ça në vendin ku ndodhen raftet me dosje.

Në depon e Gjykatës së Lartë, përveç dosjeve gjyqësore, mes së cilave ka prova për vepra të ndryshme penale, ka edhe rreth nëntë tonë e gjysmë lëndë narkotike të konfiskuara, nga të cilat rreth dy tonë janë kokainë dhe rreth shtatë tonë marihuanë.

Kryeministri Dritan Abazoviq, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, Marko Kovac dhe Filip Axhiq, vizituan vendin dhe njoftuan se gërmimi i tunelit nuk mund të bëhej pa ndihmën e Gjykatës së Lartë.

“Krimi i organizuar funksionon duke pasur njerëz të përfshirë në të gjitha institucionet. Mendoj se kjo është një përpjekje për një veprim të koordinuar që u pengua”, tha kryeministri Abazoviq, i cili shtoi se janë regjistruar disa persona që mund të jenë të lidhur me këtë rast.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e vlerësoi këtë deklaratë si “përpjekje të ngathët të Abazoviqit për të hequr nga vetja dhe ministri Axhiq barrën e përgjegjësisë për rrëmujën në sektorin e sigurisë, e cila nuk do të kalojë”.

Ligjet për punët e brendshme dhe për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare përcaktojnë qartë detyrë e kujt është të mbrojë institucionet kundër kundërzbulimit dhe të sigurojë sende që përbëjnë prova në procedimet penale, tha DPS-ja.
Oficerët e administratës policore sigurojnë objektet e gjykatave dhe prokurorive.

Motivet dhe qëllimet e gërmimit të tunelit nuk dihen

Sipas Abazoviqit, motivi i gërmimit të tunelit është përpjekja e kartelit të drogës për të kontaminuar provat kundër tyre në depo, për të cilat ai dyshon se kanë pasur ndihmë nga gjykata.

Pas zbulimit të tunelit, kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviq tha se “pothuajse asgjë nuk mungon”.

Ai shprehu dyshimin e tij se qëllimi i autorëve ishin dëshmitë në depo, pasi për to tashmë janë bërë ekspertiza dhe në bazë të tyre tashmë janë nxjerrë aktakuza apo aktgjykime.

Siç tha ai, “nuk do të kishte dëme të pariparueshme nëse do të vidheshin disa sende”.

“Ne kemi të drejtë të dyshojmë se personi që e ka punuar atë tunel, ka pasur plan për të shkuar në dhomën e mbajtjes (së të akuzuarit)”, tha gjyqtari Saviq.

Duke qenë se ajo dhomë ndodhet afër depos, ai përmendi edhe mundësinë që tuneli të jetë hapur në përgatitje të tentativës për arratisje nga një prej të pandehurve, duke theksuar se është herët të flitet për këtë.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Nikola Terziq, vetëm tha se mendon se “askush nuk ka investuar kaq shumë mund dhe përpjekje për rekreacion”.

A ka dështuar sistemi i sigurisë?

Shoqata e Policëve në Pension dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare njoftuan se shkatërrimi i aparatit të sigurisë në Mal të Zi, përzgjedhja negative e personelit në shërbime dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e politikës ditore në sistem, çuan në një rënie të përgjithshme të besimit tek institucionet që mbrojnë qytetarët dhe sistemin kushtetues.

Me rastin e hapjes së tunelit është paralajmëruar të mbahet një seancë e Byrosë për Koordinimin Operativ të Autoriteteve të Sektorit të Inteligjencës dhe Sigurisë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare për 14 shtator.

Eksperti i ndërtimit: Ka të bëjë me punime të thjeshta

Nga aspekti ndërtimor, këto janë punë shumë të thjeshta, sepse nuk ka ujë nëntokësor, thotë për Radion Evropa e Lirë Velko Vasileviq, ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimit.

“Ne e dimë se është material i butë. Mund të përdoren vetëm mjete manuale ose elektrike. Me pak logjistikë, ne të dy mund ta gërmojmë atë brenda një muaji, dhe me logjistikë dhe organizim më të mirë, edhe për dhjetë ditë”, thotë Vasileviq.

Në bazë të fotografive të tunelit të publikuara nga Qeveria, ai vlerëson se janë gërmuar rreth 30 deri në 35 metra kub material, që nuk është një sasi e madhe, por largimi i të cilit është menduar të jetë i padukshëm.

“Ose të fshehura brenda disa punëve dhe aktiviteteve të tjera. Supozoj se punimet janë bërë gjatë ditës, kur ka pasur trafik dhe zhurma nga jashtë”, shprehet ai.

Vasileviq vëren se makinat elektrike që nuk bëjnë shumë zhurmë janë përdorur për instalimin e tabelës kundër rrëshqitjes:

“Unë shoh që shkuma e purpurt është përdorur për të parandaluar derdhjen midis dërrasave. Edhe pse puna është shumë e thjeshtë, ata duhet të kenë një minimum njohurish teknike, ose t’i udhëzojë dikush që të hamendësojnë rrugën e gërmimit dhe të dinë deri ku të gërmojnë”.

Vlerësohet se muri i ndërtesës së gjykatës është 70-80 centimetra i trashë, si shumica e objekteve të ndërtuara në Podgoricë pas Luftës së Dytë Botërore.

Fillimi i gërmimit të tunelit përkon me fillimin e rinovimit të ndërtesës së Gjykatës së Lartë.

Incidenti u zbulua të hënën, më 11 shtator, kur zyrtarët e gjykatës vunë re se sendet brenda depos ishin kontrolluar.

Gjykata e Lartë ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka kryer hetimet në të njëjtën ditë. Pas hetimeve të tyre, zyrtarët e gjykatës filluan të listonin objektet dhe vetëm më pas u gjet hapja që fshihej nga objektet në dhomë.

Në depo janë 100 mijë raste, dosje gjyqësore e objekte fizike./REL

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit