Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për protestat që u mbajtën përreth bazës së EULEX-it edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
“Rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve të cilët kanë qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë lëvizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it e cila gjendet afër tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë”, raporton Policia e Kosovës.
“Protestuesit me të arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, kanë bllokuar rrugën dhe kanë filluar hedhjen e gjësendeve të ndryshme, mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, i cili është shuar menjëherë”.
“Zyrtarët policorë në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”.
“Policia e Kosovës ka menaxhuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e tubimeve/protestave, te cilat ka kaluar pa incidente madhore dhe pa lëndime të protestuesve, e të zyrtarëve policorë. Protesta ka përfunduar pas mesnatës (rreth orës 00:20 minuta)”.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj tyre.
“Policia e Kosovës vazhdon të falënderojë qytetaret për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti gjatë ndërprerjeve të përkohshme të trafikut rrugor”.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë prezencën dhe patrullimet në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”.






