Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ndaj shtyrjes së afatit për marrjen e vendimit nga trupi gjykues në rastin e “katërshes së UÇK-së”, duke e cilësuar këtë si një zgjatje të panevojshme të procesit gjyqësor, raporton Scanner.
Sipas tij, vendimi për shtyrjen me 60 ditë përbën një tjetër dëshmi të vonesave që po e shtyjnë epilogun e këtij rasti, duke e zvarritur padrejtësisht përfundimin e tij.
Bajraktari thekson se një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt parimin themelor të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme, i cili është ndër shtyllat kryesore të një sistemi të drejtë gjyqësor.
Ai rikujton se, ndonëse Rregulla 159 e Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomat e Specializuara të Kosovës lejon shtyrje në rrethana përjashtuese, aplikimi i saj në këtë fazë krijon përshtypjen e një standardi të dyfishtë dhe rrit mosbesimin publik ndaj drejtësisë.
Më tej, Bajraktari e cilëson shqetësues faktin që të akuzuarit, përfshirë Hashim Thaçi, vazhdojnë të mbahen në paraburgim edhe pse procesi gjyqësor ka përfunduar dhe pritet vetëm vendimi.
Sipas tij, vazhdimi i paraburgimit në këto rrethana ngre pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e kësaj mase.
“Në shtetet e së drejtës, drejtësia nuk duhet vetëm të vihet në vend, por edhe të duket se po vihet në vend. Çdo vonesë e panevojshme dhe çdo kufizim i zgjatur i lirisë, pa arsyetim bindës, e dëmton këtë parim dhe minon besimin e qytetarëve në drejtësi”, përfundon reagimi i tij.
Postimi i plotë:
Shtyrja e afatit prej 60 ditësh për marrjen e vendimit nga ana e Trupit gjykues në rastin e katërshes së UÇK-së, përbën një tjetër dëshmi të zgjatjes së panevojshme të këtij procesi, duke e shtyer epilogun e vendimit gjyqësor edhe për periudhën shtesë të pajustifikuar.
Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt parimin themelor të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme që është ndër shtyllat kryesore të një sistemi të drejtë gjyqësor.
Edhe pse Rregulla 159, e Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara e lejon një shtyrje të tillë në rrethana përjashtuese, aplikimi i saj në këtë fazë krijon përshtypjen e një standardi të dyfishtë dhe thellon mosbesimin publik ndaj administrimit të drejtësisë.
Edhe më shqetësuese është vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi dhe të tjerëve, në një kohë kur procesi ka përfunduar dhe pritet vetëm vendimi i trupit gjykues.
Mbajtja e tyre në paraburgim në këto rrethana, ngre pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e kësaj mase.
Në shtetet e së drejtës, drejtësia nuk duhet vetëm të vihet në vend, por edhe të duket se po vihet në vend. Çdo vonesë e panevojshme dhe çdo kufizim i zgjatur i lirisë, pa arsyetim bindës e dëmton këtë parim dhe minon besimin e qytetarëve në drejtësi.






