Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime brenda Policisë se Gani Geci është shoqëruar në polici vetëm për sqarim, pasi policët e kanë marrë pranë stacionit të B92 në Prishtinë.
Shoqërimi i ish-deputetit vjen pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj. Ky i fundit ka deklaruar se është kërcënuar nga familja Geci pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Më pas, gazetari tregoi se ishte kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kërkuan ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, deklaroi Mehmetaj.
Ai tha se pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur. Sipas tij, iu kërkua edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai refuzoi.
Mehmetaj deklaroi se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i raportoi te organet e rendit.
Nga ana tjetër, Gani Geci njoftoi për një takim mes familjarëve, të zhvilluar me ndërmjetësimin e Anton Qunit dhe Fadil Hadërgjonajt. Sipas versionit të tij, familjet kishin rënë dakord që të mos merreshin më me njëra-tjetrën në shkrime apo paraqitje televizive.
Në postimin e tij, Geci përmendi takimin në restorantin “Garden”, ku, sipas tij, kishin marrë pjesë Ismet Mehmetaj, babai i gazetarit, vëllai i tij Rinori dhe vetë Geci. Sipas tij, pajtimi përfshinte zotimin për të mos u përmendur në shkrime apo televizione.
Por Mehmetaj bëri të qartë se nuk e pranonte largimin ose ndryshimin e postimit. Ai tha se do të vazhdonte të shkruante për deputetin Fatos Geci sa herë ta konsideronte të nevojshme.
“Unë mangup s’jam, po me ma diktu mu çka shkruaj s’ka shans, me u rrotullu tokë e qiell”, u shpreh Mehmetaj.
Ende nuk ka një sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës për arsyet e arrestimit, veprën penale të dyshuar apo masat e mëtejshme ndaj Gecit. Ende nuk ka informacione nëse do të ndalohet apo jo.






