Shkruan: Ilir Gashi
Gjykata Speciale si çështje me ndjeshmëri të lartë dhe kompleksitetin e saj, po shndërrohet në një monstrum politik brenda rendit tonë kushtetues.
Ky mesazh që po jep, ndikon thellësisht në bindjen se si po administrohet drejtësia. Një proces i tillë sipas të gjitha analizave ndërkombëtare ndodh kur fuqitë politike synojnë të ndikojnë në vendimet dhe veprimet e gjykatës, duke e bërë atë të reflektojë si instrument për qëllime politike. Ky reflektim cenon rëndë besueshmërinë e këtij mekanizmi të pavarur, që si qëllim në vetvete do duhej të kishte drejtësinë dhe rendin kushtetues mbi të cilën është ndërtuar.
Përpjekja e saj, të paktën si reflektim në sy të opinionit, se kemi politizim të gjykatës mund të rezultojë me pasoja afatgjate.
Nëse s’ka besueshmëri, s’ka drejtësi. E nëse s’ka drejtësi ka revoltë. A ka qëllim revoltën e turmave!? Çfarë mesazhi kemi!?
“Forcat madhore” politike, jo natyrale, i bëjnë Gjykatësit të ndihen të shtrënguar të veprojnë sipas urdhrave politike ose shantazheve nga qeveritë ose grupe të tjera të fuqishme me interes që pavarësisht mungesës se fakteve të cenohen të drejtat e personave që gjykohen nëse shihen pengesë e qëllimeve madhore.
Në qoftë se publiku kosovar bindet, e tashmë veçse është rrugës së bindjes, se kjo gjykatë është e politizuar, kjo do të rrënoj besueshmërinë e popullit të Kosovës në sistemin e drejtësisë që vetë e ka krijuar.
Kjo stërkeqje e paaftësisë dhe politizimit, pashmangshëm rrezikon të çojë në vendime që shkelin të drejtat individuale si pasoj e fokusit përfundimtar në agjendat politike! Në vend që për qëllim të ketë drejtësinë objektive për të akuzuarit që nuk janë thjeshtë individ, po janë bartës të lirisë së një kombi dhe pavarësisë së tij.
Nëse vazhdohet në këtë perceptim bazuar në zhvillim të fundit, të kemi një gjykatë me premisa të qarta politike atëherë kjo do t’i shërbej rritjes së tensioneve të mëtejshme politike dhe ndasive të mëdha ndëretnike.
Nëse dëshirojmë të adresojmë stërkeqjen politike të kësaj gjykate, është e domosdoshme të ndërtojmë urgjentisht një mekanizëm hibrid vendor e ndërkombëtar që të sigurojnë pavarësinë e procesit në këtë gjykatë, si dhe të autorizohen Institute nderkombëtare që monitorojnë drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, që të rritet transparenca dhe llogaridhënia në këtë procese gjyqësorë që ka marrë përmasa shqetësuese.
Rreziku i sinjaleve me qëllime politike do të jap mesazh tek shumica shqiptare se qëllimi përfundimtar nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, por qëllimi në vetveten e saj është të rrënohet historia e çlirimit të popullit dhe Pavarësia e Kosovës. Kjo më pastaj rrit pashmangshëm apetitet hegjemonë të Serbisë mbi të “drejtën e saj” të proklamuar ndaj Kosovës.
Nëse s’ngrihemi sot, nesër do të bëhet vonë!
Nuk është duke u persekutuar individi në Hagë!
Në Hagë është duke u zhbërë historia dhe pavarësia e Kosovës.