“Shifrat në buxhet nuk ua ndryshojnë jetën qytetarëve”, Mustafa kritikon Qeverinë për buxhetin

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç tha shkeljen e vazhdueshme të afateve ligjore dhe dështimin në realizimin e investimeve kapitale të planifikuara në buxhet.

Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online tha se mosrespektimi i afateve ligjore është shndërruar në praktikë të kësaj qeverisjeje, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të rrezikshme për rendin juridik në Kosovë.

“Fillimisht duhet të potencuar faktin që kemi të bëjmë përsëri me një shkelje të afateve ligjore, gjë që u shndërrua në një praktikë të kësaj qeverisjeje, një praktikë që në vazhdimësi i sfidon ligjet, i sfidon afatet ligjore dhe mendoj që është praktikë e papranueshme dhe e rrezikshme për rendin juridik në Kosovë. Për shkak se ligjet, afatet ligjore që janë nxjerrë nga ky Kuvend i Republikës së Kosovës janë nxjerrë për t’u zbatuar dhe nuk janë në diskrecion të qeverisë për të vendosur se cilin e afat e respekton dhe cilin e afat nuk e respekton. Për sa i përket buxhetit, kemi të bëjmë me një qeveri që është shumë e zëshme në fazën e propozimit të buxhetit, mirëpo pastaj është shumë e heshtur kur vjen koha për të dhënë përgjegjësi për zbatimin e buxhetit. Pra, buxheti si dokument është një planifikim. Mund të vendosësh çfarëdo shifra në buxhet, por aty nuk i ndryshojnë jetën e qytetarit. Jeta e qytetarit ndryshohet kur zbatohen politika të duhura që rrjedhin edhe nga ai buxhet”, tha Mustafa.

Deputeti i PDK-së ka theksuar se këtu kemi të bëjmë me një qeveri e cila në vazhdimësi ka propozuar shuma, vlera pompoze në buxhet, mirëpo pastaj kemi pasur, bëjmë me dështime të vazhdueshme në implementimin e atij buxheti.

“Flasim për investime kapitale në vlerë prej 1 miliard euro. Përfshirja e 1 miliard eurove në buxhet nuk nënkupton 1 miliard euro investime nëse ato projekte nuk zbatohen. Shohim që për këtë vit, deri në shtator, janë zbatuar më pak se 30% e investimeve kapitale të planifikuara për vitin 2026. Pra, kemi të bëjmë me mungesë të aftësive, me dështim të vazhdueshëm të kësaj qeverie për të zbatuar atë që e planifikon në buxhet. Në buxhet mund të planifikosh edhe 1 miliard, mund të planifikosh edhe 2 miliard euro investime, por pyetja është se a po realizon ato. Dhe në këto planifikime prej 1 miliard euro janë edhe projekte, siç është Autostrada e Gjilanit, rrugë të tjera, të cilat nuk po përfundojnë asnjëherë. Dhe ato figurojnë në atë buxhet, kanë figuruar edhe para një viti, kanë figuruar edhe para dy viteve, mirëpo nuk është zbatuar. Dhe ne do të shohim, do ta shohim me kujdes dokumentin kur të na vjen për diskutim dhe sigurisht do t’ju japim opinione edhe më të detajuara lidhur me buxhetin”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, në mbledhjen e nëntë të saj. Kryeministri Albin Kurti foli në një mbledhje të Qeverisë për “performancë të jashtëzakonshme të të hyrave”.

Kurti tha se për vitin 2027, “buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4.27 miliardë euro”, që tha se është “për 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”.

Ai tha se po e bënë qëndrueshmërinë fiskale “duke e mbajtur deficitin dhe borxhin publik në nivelet më të ulëta historikisht”.

Të ngjashme

Të fundit