Shtetet e Bashkuara të martën i vendosën sanksione Tomoko Akane-s, gjykatëse japoneze e cila shërben si kryetare e Gjykatës Penale Ndëkombëtare (GjPN), sipas uebfaqes së Departamentit të Thesarit të ShBA-së.
Kjo është lëvizja më e re përshkallëzuese në fushatën e administratës së presidentit Donald Trump kundër gjykatës me seli në Hagë, e cila është themeluar në vitin 2002 nga komuniteti ndërkombëtar për t’i ndjekur penalisht krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. ShBA-ja nuk është anëtare e kësaj gjykate, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar u vendosën sanksione të shënjestruara disa zyrtarëve të GjPN-së, përfshirë prokurorë e gjykatës, duke i përmendur si arsye urdhërarrestin e saj për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe një hetim në të kaluarën ndaj trupave amerikane në Afganistan.
Me këto sanksione ngrihen të gjitha asetet që individët mund t’i kenë në Shtetet e Bashkuara dhe ata në thelb shkëputen nga sistemi financiar amerikan, me të cilin kanë lidhje të ngushta pothuajse të gjitha bankat që veprojnë në rrafshin ndërkombëtar.
Në qershor, tre gjykatës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare i paditën Trumpin dhe administratën e tij për shkak të sanksioneve ndaj tyre, duke argumentuar se këto masa janë të paligjshme.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, muajin e kaluar tha se administrata amerikane do t’i shtonte përpjekjet për ta minuar GjPN-në, përfshirë përdorimin e një fushate diplomatike që do ta kishte për qëllim bindjen e shteteve të tjera për t’u larguar nga ky institucion.
Rubio argumentoi se gjykata paraqet rrezik ndaj personelit amerikan që i zbaton politikat e ashpra të Trumpit për migrimin ose sulmet ndaj barkave të akuzuara për transportim të drogës, si dhe ndaj amerikanëve të tjerë të uniformuar.
Trumpi ka thënë se qëllimi i kësaj fushate është mbrojtja e Netanyahut dhe e të tjerëve nga ndjekja penale, e jo mbrojtja e tij.






