E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, iu bashkua Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në lansimin e dokumentit të saj të politikave për Gazin Natyror të Lëngshëm (LNG), njoftoi ambasada.
Ambasada tha se aty ajo theksoi se si LNG-ja amerikane, “e bollshme dhe e besueshme, mund të ndihmojë në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës”.
“Shtetet e Bashkuara janë të pozicionuara për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve të sigurta dhe të diversifikuara energjetike, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme. Siguria Energjetike është Siguri Kombëtare”, tha ajo.
Së fundmi, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.
Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.






