8.7 C
New York
Saturday, April 27, 2024

Buy now

ShBA akuzon një kolumbian për vrasjen e presidentit të Haitit

- Advertisement -

Autoritetet amerikane ngritën akuza të martën ndaj një kolumbiani për komplot për të kryer vrasje ose rrëmbim jashtë Shteteve të Bashkuara në lidhje me vrasjen e presidentit haitian, Jovenel Moise, akuzat e para zyrtare për vrasjen.

Haiti ka arrestuar dhjetëra njerëz pas vrasjes që ndodhi në muajin korrik e cila krijoi një vakum politik në atë vend. Por Haiti nuk ka ngritur akuza ndaj askujt dhe hetimet kanë shkaktuar ankesa për vonesa dhe frikësim të zyrtarëve.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha në një deklaratë se Mario Palacios, një ish-oficer ushtarak kolumbian, ishte pjesë e një komploti që fillimisht kishte planifikuar të rrëmbente Moise, por plani u tjetërsua në një komplot vrasjeje pasi autorët nuk ishin në gjendje të siguronin një aeroplan për të rrëmbyer presidentin nga Haiti.

“Në bazë të dokumenteve të depozitura thuhet se, më 7 korrik 2021, Palacios dhe të tjerë hynë në banesën e presidentit në Haiti me qëllimin për të vrarë Presidentin Moise, dhe në fakt presidenti u vra”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.

Palacios u akuzua gjithashtu për, “mbështetje materiale që rezultoi në vdekje”.

Një anëtar i komplotit, një haitiano-amerikan i përshkruar si “bashkë-komplotisti #1, udhëtoi në Shtetet e Bashkuara në fund të qershorit për të kërkuar ndihmë për të çuar më tej planin”, thuhet në deklaratë.

Të martën, i akuzuari Palacios doli para një gjykate në Majami, i veshur me rroba civile dhe pranga që ishin të lidhura me një zinxhir rreth belit të tij.

Duke folur në gjuhën spanjolle, Palacios i tha gjykatës nëpërmjet një përkthyesi se ai nuk njeh askënd në Shtetet e Bashkuara dhe se të ardhurat e tij të vetme janë një pension ushtarak kolumbian me vlerë rreth 375 dollarë në muaj.

Sipas një raporti të Policisë Kombëtare të Haitit në muajin gusht, Palacios ishte pjesë e një grupi prej pesë personash të njohur si “Ekipi Delta” që hyri në dhomën e gjumit të Moise për ta vrarë atë. Katër anëtarët e tjerë të atij grupi janë në paraburgim në Haiti.

“Kryeministri Ariel Henry dëshiron vënien e drejtësisë në vend për vrasjen e Presidentit Jovenel Moise”, tha një zëdhënës i zyrës së kryeministrit.

Palacios u arrestua në Xhamajka në tetor dhe po deportohej të hënën në Kolumbi. Gjatë një qëndrimi në Panama, ai pranoi të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit