“Moszgjedhja e guvernatorit me automatizëm e komplikon edhe zgjedhjen e bordit të Trustit pensional të Kosovës.”
Kështu është shprehur deputeti i PDK-së, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ferat Shala.
Ai thotë se sipas procedurave, guvernatori është kryesues i panelit për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Trustit.
“Ne me moszgjedhje të guvernatorit po e lëjmë në mëshirë të nuk e di kujt edhe zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Trustit. Ta shohim me ligj si ka mundësi një ushtrues detyre i guvernatorit, si ka mundësi që në panele të jetë anëtar i Trustit”, e shtroi si çështje Shala.
Ai tha se për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Trustit duhet të jetë personi me kredibilitet i zgjedhur, i plotëfuqishëm ligjor, që sipas tij nuk mundet ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të panelit në fjalë.
“Ne nga sot nuk kemi një anëtar për zgjedhjen e bordit të Trustit”, tha Shala.
Për zgjedhjen e anëtarëve te Trustit panelistë janë ministri i Financave, auditori gjeneral dhe guvernatori.