Shala: Efekt juridik s’do ketë nëse Byroja miratohet më 27 dhe një ditë pas shkohet në zgjedhje

- Advertisement -

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, në emisionin “Tempus” në T7, ka deklaruar se përpjekjet për miratimin e shpejtë të Projektligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk do të prodhonin efekt juridik nëse vendi hyn në zgjedhje menjëherë pas miratimit.

Ai sqaroi se edhe nëse ligji miratohet në një datë të caktuar, funksionalizimi i tij varet nga institucionet që dalin nga procesi zgjedhor, përkatësisht nga Kuvendi.

“Nëse dikush potencialisht mendon që më 27 prill miratohet ligji për Byronë dhe pastaj, pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve, ajo mbetet, kjo juridikisht është e pasaktë”, theksoi Shala, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional në rast zgjedhjesh e bën të pamundur operacionalizimin e këtij mekanizmi, pasi emërimi i anëtarëve të komisionit mbikëqyrës është kompetencë e Kuvendit.

Ai shtoi se, për këtë arsye, një ligj i tillë nuk do të arrinte të prodhonte efekte praktike nëse nuk shoqërohet me funksionalizimin e plotë institucional pas zgjedhjeve.

Të ngjashme

Të fundit