Në emisionin “Tempus” në T7, ku të ftuar ishin deputeti i PDK-së Përparim Gruda, avokatët Ardian Bajraktari dhe Yll Zekaj, si dhe hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, është diskutuar për Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mënyrën e procedimit të tij.
Avokati Ardian Bajraktari ka theksuar se qasja që nga fillimi në procedimin e këtij projektligji lë shumë për të dëshiruar.
“Qasja që nga fillimi sa i përket procedimit të këtij projektligji lë shumë për të dëshiruar, prej emërtimit të tij dhe qasja që e ndjek lë hapësirë për të dyshuar se cili është qëllimi në vetvete që fshihet prapa kësaj nisme”, ka deklaruar Bajraktari, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Gazeta Express.
Ai ka shtuar se nuk ekziston asnjë raport vendor e ndërkombëtar që ka kërkuar një formë të tillë të konfiskimit.
“Nuk ka asnjë raport vendor e ndërkombëtar që e ka kërkuar një formë të tillë të konfiskimit”, ka theksuar ai.
Megjithatë, sipas tij, edhe pse ekziston një vullnet politik për ta çuar përpara këtë koncept, nuk duhet të procedohet me nguti.
“Nuk duhet të kalohet me nguti sepse është tentativë për t’i hedhur hi në sy opinionit”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka paralajmëruar se ky mekanizëm mund të rezultojë jofunksional në praktikë.
“Nëse shkohet në zgjedhje, prapë ky mekanizëm do të jetë jofunksional, pasi që konstituimi i tij lidhet me emërimin e tre anëtarëve që zgjidhen nga Kuvendi”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka theksuar se aspekti i pavarësisë mbetet problematik, por mund të adresohet.
“Sa i përket përmbajtjes, aspekti i pavarësisë lë shumë për të dëshiruar, por nëse ka vullnet në mes të dy leximeve kjo çështje mund të adresohet”, ka përfunduar Bajraktari.






