Profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar edhe zyrtarisht se është tërhequr nga kandidatura për President.
Sejdiu shkroi në Facebook se pasi njoftoi tërheqjen në shtator, e ka konsideruar të domosdoshme ta sqarojë dhe ta konfirmojë atë qëndrim, pasi kryeministri Albin Kurti e permendi sërish mundësinë që ai të zgjidhet në pozitën e shefit të shtetit, duke i kërkuar PDK-së vota për të.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq! E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së. Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Sejdiu shprehu falënderim për liderët politikë që “kanë vazhduar të besojnë” se ai është “kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit”.
“Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit. Dëshiroj që më sinqeritetin më të madh të falënderoj ata liderë politik që kanë vazhduar të besojnë se unë jam kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit, sidomos në një situatë të ndjeshme si periudha nëpër të cilën po kalojmë”, tha ai.
Ditëve të fundit, Sejdiu tha se ka qenë “në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së”, duke qenë se, siç tha fillimisht ka qenë i ftuar nga kjo parti kur i është ofruar posti i Presidentit.
“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend. Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast. Poashtu, e vlerësoj konsideratën personale të shprehur ndaj meje nga shumë politikanë të partive të tjera. Shprehë mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë kolegët, miqtë dhe shumë personalitete nga jeta akademike dhe përtej saj, që më kanë shprehur mbështetjen e tyre”, shkroi ai.
Në fund, Sejdiu shprehu dhimbjen e tij, që tha se po e përjeton për “ankthin dhe zhgënjimin që po e përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj”.
“Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, shkroi ai.






