Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka nisur të shtunën një seminar dyditor me fokus forcimin e dialogut social, negociatat kolektive dhe përfaqësimin e punëtorëve të arsimit.
Seminari me temën “Fuqizimi i SBASHK-ut për dialog social, negociata kolektive dhe përfaqësim të punëtorëve të arsimit” po mbahet me mbështetjen e Qendrës Amerikane të Solidaritetit.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të SBASHK-ut dhe BSPK-së, ndërsa i pranishëm ishte edhe ministri ne detyr i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku.
Në fjalën e tij, Çeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me punonjësit e arsimit, duke nënvizuar se dialogu duhet të bazohet në mirëbesim, kompromis dhe bashkëpunim të mirëfilltë.
“Dialogu, kur është i hapur, konstruktiv dhe i bazuar në kulturën e kompromisit, na sjell zgjidhjet shumë më mirë”, tha Çeku.
SBASHK-u kërkon rikthimin e negociatave
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se dialogu social ndërmjet sindikatave dhe Qeverisë kishte stagnuar për një periudhë, por sipas tij, tashmë ka ndryshime në raportet me Ministrinë e Arsimit.
Jasharaj theksoi edhe nevojën për arritjen e Kontratës Kolektive të Arsimit, duke deklaruar se SBASHK-u do të angazhohet maksimalisht për realizimin e saj.
“Do të bëjmë të pamundurën që ta kemi Kontratën Kolektive”, u shpreh Jasharaj.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, prezantoi hapat e paraparë për forcimin e dialogut me Qeverinë, përfshirë takimet e rregullta me MASH-in, rikthimin e negociatave për Kontratën Kolektive, krijimin e grupeve të përbashkëta të punës dhe monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve.
Sipas Ymerit, katër takimet e zhvilluara me ministrin Çeku gjatë rreth një muaji paraqesin një mundësi të re për forcimin e dialogut institucional.
Seminari do të vazhdojë edhe të dielën me diskutime për negociatat kolektive dhe prioritetet e kërkesat e punëtorëve të arsimit.
Në fund të seminarit pritet të hartohet dokumenti me rekomandime dhe hapa konkretë për forcimin e dialogut social, negociatat kolektive dhe përfaqësimin sindikal të SBASHK-ut.






