Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, në emisionin Gazeta ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen aktuale në Kosovë, duke theksuar se lufta për pushtet dhe qasja e politikanëve po dëmtojnë rëndë ekonominë dhe qytetarët.
Sipas tij, klasa politike është e përqendruar në interesa të ngushta pushteti, duke humbur fokusin nga problemet reale me të cilat përballet vendi.
“Në Kosovë, lufta për pushtet dhe komuniteti i krijuar shumë politikanë po i verbëron. Unë besoj se do të veprojnë, por do të jetë shumë vonë”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka bërë një krahasim mes ekonomisë dhe mjekësisë, duke theksuar se është më e rëndësishme të parandalohen problemet sesa të trajtohen pasojat e tyre.
“Edhe në ekonomi është njëjtë si në mjekësi – është më mirë që gjërat të evitohen sesa të shërohen. Në Kosovë kemi një situatë vërtet shqetësuese”, u shpreh ai.
Gërxhaliu e cilësoi situatën aktuale si një “eksperiment” të pashpjegueshëm edhe për ekspertët më të avancuar të fushës, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët.
“Kjo është Kosova e vitit 2026 – dëmtohet ekonomia, dëmtohet qytetari dhe askush nuk e di sa do të zgjasë ky avaz. Këtë nuk mund ta parashikojnë as ekspertët më të avancuar të ekonomisë”, përfundoi ai.






