Antonio Rudiger do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit edhe për të paktën një sezon tjetër. Mbrojtësi gjerman ka arritur marrëveshje verbale me klubin madrilen për rinovimin e kontratës deri në qershor të vitit 2027.
Sipas raportimeve nga mediat pranë klubit madrilen, zyrtarizimi i marrëveshjes është shtyrë përkohësisht dhe pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve për presidentin e ri të Real Madridit.
Rudiger kishte kërkuar fillimisht kontratë dyvjeçare, por ka pranuar politikën e klubit për lojtarët mbi 30 vjeç, të cilëve zakonisht u ofrohen rinovime nga një vit. Gjermani konsiderohet një nga liderët kryesorë të mbrojtjes madrilene dhe drejtuesit nuk duan ta humbin eksperiencën e tij.
Që nga transferimi nga Chelsea në vitin 2022, Rudiger është kthyer në një nga shtyllat kryesore të “Los Blancos”, duke fituar besimin e tifozëve me paraqitjet dhe karakterin e tij luftarak.






